Enver Hoxhaj nga Haga: Dita më e zezë për popullin shqiptar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka reaguar nga Haga pas vendimit të sotëm, duke theksuar se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të mbeten të pafajshëm në historinë e kombit shqiptar dhe në zemrat e qytetarëve të Kosovës.
Hoxhaj e ka cilësuar ngjarjen e sotme si një nga ditët më të zeza në historinë e popullit shqiptar.
“Ata do të mbeten të pafajshëm përgjithmonë në historinë e popullit shqiptar dhe në zemrat e qytetarëve të Kosovës. Kjo që ndodhi sot është një ditë nga më të zezat që ka përjetuar populli shqiptar që nga shpallja e pavarësisë deri më sot,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai është shprehur i bindur se, përmes verifikimeve të reja dhe një procesi gjyqësor të rishikuar, vendimi aktual mund të ndryshojë.
“Jemi të bindur se çdo verifikim i thelluar dhe një proces i ri do ta anulojë këtë vendim, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të pastër dhe të drejtë. Lufta jonë ka pasur si qëllim lirinë dhe pavarësinë, dhe askush nuk mund ta gjykojë historinë tonë,” ka thënë Hoxhaj.
