**Vdekja tragjike e policit të Kosovës në Kukës, dedikimi emocional i shokut të shkollës**
Një lajm tragjik ka tronditur sot Policinë e Kosovës dhe komunitetin: polici Shaban Hajdari, anëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH), është gjetur i pajetë mëngjesin e së mërkurës pranë varrezave të fshatit Morinë, në Kukës.
Ndërsa vdekja e papritur e 35-vjeçarit ka lënë në pikëllim të thellë familjarët, miqtë dhe kolegët, ish-shoku i tij i shkollës, Gzim Kastrati, ka zgjedhur ta kujtojë Hajdarin me një dedikim emocional. Kastrati e përshkroi Hajdarin si një figurë me vlera të larta, të përkushtuar dhe profesional në shërbim të Republikës së Kosovës.
Në një postim të tijin në rrjetet sociale, Kastrati shkruan, duke shprehur dhimbjen:
“Lamtumirë, shoku ynë i dashur, Shaban Hajdari. Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Humbëm një shok të mirë të shkollës, një njeri me vlera dhe një zyrtar policor të përkushtuar, i cili punoi me ndershmëri dhe profesionalizëm në shërbim të Republikës së Kosovës. Kontributi yt i palodhshëm për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe i paharruar”.
Në mbyllje të dedikimit të tij, Kastrati shprehu ngushëllimet më të thella për familjen Hajdari dhe për të gjithë kolegët e të ndjerit në Policinë e Kosovës.
“U prehsh në paqe, Shaban! Kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat tona”.
