Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë dhe kompanive private, duke theksuar një pabarazi të thellë në trajtimin e pagave. Ajo kritikoi ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, ndërkohë që punëtorëve të sektorit privat nuk u respektohet as paga minimale.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Bajrami adresoi situatën e punëtorëve teknikë të shkollave, të cilët po kërkojnë zbatimin e pagës minimale. Ajo theksoi se këta punëtorë, sipas saj, vazhdojnë të paguhen me 390 euro në muaj nga kompanitë private të kontraktuara nga komunat, pavarësisht se paga minimale prej 500 eurosh bruto tashmë ka hyrë në fuqi.
Deputetja Bajrami i bëri thirrje Inspektoratit të Punës që të ndërmarrë masa të menjëhershme kundër kompanive që shkelin vendimin për pagën minimale. Ajo theksoi se në rastet kur kompanitë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet shtesë, zgjidhja duhet të kërkohet përmes ndryshimit të kontratave me institucionet përkatëse, dhe jo në kurriz të punëtorëve.
“Problemet kontraktuale asnjëherë nuk duhet të zgjidhen në kurriz të punëtorëve dhe këtë situatë s’duhet ta lejojë Inspektorati”, shkroi ajo.
Bajrami kritikoi gjithashtu Qeverinë për ndarjen e rreth 130 milionë eurove, përmes rishikimit buxhetor, për pagën e 13-të të sektorit publik, ndërsa punëtorët që kujdesen për mirëmbajtjen dhe higjienën e shkollave përballen me moszbatimin e pagës minimale.
Në fund, ajo kërkoi që Qeveria të garantojë zbatimin e vendimeve të veta, komunat të marrin përgjegjësi për kontratat e lidhura, dhe kompanitë private të respektojnë të drejtat themelore të punëtorëve. “Paga minimale nuk është privilegj as opsion, është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë”, përfundoi Bajrami.
