Në premierën e filmit të bashkëshortit, Rita Ora në qendër të vëmendjes

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka tërhequr vëmendjen në premierën e filmit “Klara and the Sun”, ku ishte e pranishme për të mbështetur bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi.

Sipas DailyMail, 35-vjeçarja mbërriti në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit BFI në Londër, e veshur me një fustan unik dantelle të zezë dhe një aksesor mbresëlënës në kokë. Pamja e Ritës spikati për elegancën dhe guximin: një fustan transparent dantelle me fund të gjerë dhe voluminoz, i shoqëruar nga një aksesor koke në të njëjtin stil, i zbukuruar me detaje që ngjanin si majëza.

Filmi fantastiko-shkencor “Klara and the Sun”, ku interpreton Jenna Ortega, paraqet historinë e Klarës, një vajze robotike të krijuar për t’u ofruar shoqëri njerëzve dhe për të luftuar vetminë në një të ardhme alternative, të shënuar nga ndarje shoqërore dhe izolim.

Përveç mbështetjes për bashkëshortin, Rita Ora vazhdon të jetë aktive në fushën e muzikës dhe aktrimit. Së fundmi, ajo ka paralajmëruar albumin e saj të katërt, publikimi i të cilit është planifikuar për vitin 2027, duke postuar një foto nga studioja e incizimit. Gjithashtu, pritet të shfaqet në disa projekte filmike: “Honeymoon with Harry” nga Amazon MGM, ku do të luajë krahas Jake Gyllenhaal, Kevin Costner dhe Sarah Pidgeon; “Voltron” po nga Amazon MGM; dhe “Descendants: Wicked Wonderland” i Disney-t, një rikthim në universin e “Descendants”, pas rolit të saj si Mbretëresha e Zemrave në “Descendants: The Rise of Red”.

Njëkohësisht, këngëtarja punon intensivisht edhe për zhvillimin e kompanisë së saj të produkteve për kujdesin e flokëve, TYPEBEA, të cilën e ka bashkëthemeluar me Anna Lahey.