Puyol vlerëson Bastonin: Mbrojtës i mirë, por te Barça nuk është aspak e lehtë

Ish-kapiteni legjendar i Barcelonës, Carles Puyol, ka ndarë mendimin e tij për mbrojtësin qendror të Interit, Alessandro Bastoni, emri i të cilit është përmendur shpesh si objektiv i gjigantëve katalanas në afatin kalimtar të verës. Puyol thekson se Bastoni është një mbrojtës i mirë, por paralajmëron se “të luash në mbrojtje te Barcelona nuk është aspak e lehtë”.

Prej disa muajsh, Barcelona ka qenë e lidhur me një lëvizje për transferimin e Bastonit nga Interi. Megjithatë, raportimet e fundit sugjerojnë se interesi i Barçës për mbrojtësin italian ka filluar të zbehet. Klubi tani mund t’i japë përparësi blerjes së një sulmuesi të ri, për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, mbi transferimin e një mbrojtësi të profilit të lartë, megjithëse asnjë opsion nuk është përjashtuar përfundimisht.

Ndërsa transferimi i mundshëm i Bastonit mbetet një temë e nxehtë diskutimi, ish-mbrojtësi i Barcelonës u pyet së fundmi nga “DAZN” rreth mundësisë së bashkimit të fituesit të fundit të “Scudettos” me klubin katalanas.

“Për këtë duhet të pyesni Decon (drejtorin sportiv të Barcelonës),” u përgjigj Puyol. “Mendoj se ai është një mbrojtës shumë i mirë. Gjithashtu mendoj se Barcelona ka mbrojtës shumë të mirë, të rinj, të cilët e njohin mirë stilin e lojës së klubit.”

“Të luash në mbrojtje te Barcelona nuk është e lehtë, veçanërisht me një vijë mbrojtëse kaq të lartë. Ndonjëherë është e vështirë të përshtatesh. Por, nëse klubi mendon se duhet të transferojë Bastonin, atëherë jam i bindur se do të blejnë një lojtar të fortë. Klubi do ta ketë analizuar me kujdes për të kuptuar nëse është zgjedhja e duhur dhe nëse transferimi i tij është i realizueshëm. Në fund të fundit, mund ta dëshirosh një lojtar, por kushtet e duhura për ta blerë nuk ekzistojnë gjithmonë,” përfundoi legjenda spanjolle.