Ish-presidenti Ilir Meta njofton ndarjen nga jeta të babait, jep detaje për ceremoninë e varrimit

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të babait të tij, Rexhep Meta.

Në postimin e tij, zoti Meta shpreh dhimbje të thellë për këtë humbje dhe fton miqtë e dashamirësit të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Ajo do të zhvillohet të martën, më 2 qershor, në orën 12:00, në vendlindjen e të ndjerit, Çepan të Skraparit.

Gjithashtu, ish-presidenti njofton se familja do të presë vizita për ngushëllime në datën 3 qershor, në Tiranë. Detajet e vendit dhe orës së saktë do të bëhen të ditura në vijim.

“Të dashur të afërm, miq dhe dashamirës. Me dhimbje të thellë po ndaj me ju lajmin e trishtë, për mua dhe gjithë familjen tonë, të ndarjes nga jeta të babait tonë të mrekullueshëm, Rexhep Meta. Në respekt edhe të amanetit të tij, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet, nesër, më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit. Ndërkohë për të gjithë miqtë dhe dashamirësit, familja do të bëjë pritjet e ngushëllimeve në datën 3 qershor në Tiranë, vendin dhe orën e saktë, do t’ju a komunikojmë në vijim”, shkruan Meta.