**INSTAT: Mbi 7 milionë hyrje të shtetasve të huaj në Shqipëri deri në Korrik**

Shqipëria vazhdon të regjistrojë një rritje të ndjeshme të numrit të hyrjeve të shtetasve të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Vetëm në muajin Korrik të këtij viti, vendi shënoi 1.9 milionë hyrje, një shifër rreth 130 mijë më e lartë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke treguar një rritje prej 7.1%.

Pjesa më e madhe e këtyre hyrjeve, rreth 1.83 milionë gjatë Korrikut, ka origjinë nga vendet e Evropës. Evropa Jugore vazhdon të jetë burimi kryesor i vizitorëve, ndërsa një rritje domethënëse vërehet edhe nga shtetasit e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Për periudhën Janar-Korrik të këtij viti, Shqipëria regjistroi gjithsej 7,014,168 hyrje të shtetasve të huaj. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 427 mijë hyrjesh, ose 6.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

INSTAT thekson se këto statistika pasqyrojnë numrin e hyrjeve në pikat kufitare dhe jo numrin real të turistëve unikë që vizitojnë vendin.