Irani ka paralajmëruar se asetet e Elon Musk në Lindjen e Mesme mund të bëhen objektiva legjitime, në rast përshkallëzimi të tensioneve rajonale. Ky paralajmërim vjen nga media shtetërore iraniane.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raporton se autoritetet e Teheranit akuzojnë ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për përdorimin e shërbimit satelitor Starlink të kompanisë SpaceX, në pronësi të Musk.

Sipas këtyre raportimeve, ndër objektivat e mundshëm që po merren në shqyrtim janë stacionet tokësore të Starlink në Katar, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman, si dhe elementë të lidhur me aksionarët e SpaceX.

Një burim ushtarak, i cituar nga Fars, deklaroi se Irani “rezervon të drejtën të godasë të gjitha objektet që lidhen me interesat e menaxhuara nga Musk në rajon dhe në territoret e pushtuara”.

Deri më tani, autoritetet perëndimore nuk kanë komentuar mbi këto paralajmërime, ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar.