Irani: Negociatat me Omanin për rrugë të reja lundrimi në Ngushticën e Hormuzit, drejt përfundimit

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar të dielën se negociatat me Omanin për krijimin e rrugëve të reja të lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit kanë hyrë në fazat e tyre të fundit.

Duke folur për gazetarët në Teheran, Araghchi theksoi se arritja e një marrëveshjeje për rrugët e lundrimit nuk nënkupton automatikisht rihapjen e ngushticës, e cila është një nga arteriet kryesore për furnizimin global me naftë dhe gaz natyror.

“Një marrëveshje për rrugët e lundrimit mund të arrihet, por rihapja e Ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e një grupi të veçantë kushtesh, dhe këto kushte po komunikohen përmes ndërmjetësve”, ka deklaruar ai.

Araghchi ka kërkuar gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë “shkeljen” e një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar në qershor, i cili synonte t’i jepte fund javëve të luftimeve dhe, ndër të tjera, të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.