Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ironizuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, duke i sugjeruar të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese largimin e kamerave nga Kuvendi. Sipas Miftarajt, kjo do t’i mundësonte deputetit “të luajë karate me fatin e Republikës”.

Reagimi i Miftarajt vjen pas publikimit, mbrëmë nga Ekonomia Online, të një fotografie ku deputeti Bardiqi u shfaq duke shkëmbyer mesazhe gjatë seancës së zgjedhjes së presidentit. Në mesazhin e tij thuhej: “Po e zgjedhim ‘karate’, pastaj të shohim çfarë thotë Kushtetuesja.”

Në postimin e tij të plotë, Miftaraj i është drejtuar Bardiqit me fjalët: “Deputet Bardiqi, nuk ka kuptim puna jote nëse sot nuk inicioni një rast në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë që të largohen të gjitha kamerat nga Kuvendi i Kosovës.” Ai shtoi se kjo do t’i mundësonte deputetit “të luante karate me fatin e Republikës dhe në të njëjtën kohë të ruhej pavarësia e tij”.

Në fund të postimit, Miftaraj e cilësoi këtë sugjerim si pjesë të “lojës së karatesë” me deputetin, të cilin e quajti “Bruce Lee-n e Kuvendit”.