Ish-kreu i policisë italiane, Gianni De Gennaro, i cili ishte nën hetim për përpjekje të supozuara për të penguar një hetim të ri mbi vrasjen e një prokurori të lartë antimafia në vitin 1992 i ka dhënë fund jetës.

Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën një zyrtar i afërt me çështjen, raporton Reuters.

De Gennaro, i cili drejtoi Policinë Kombëtare të Italisë nga viti 2000 deri më 2007, ishte një prej zyrtarëve më me ndikim në strukturat e sigurisë italiane. Ai kishte luajtur rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në operacionet kundër mafias siciliane Cosa Nostra gjatë viteve 1980 dhe 1990.

Vetëm më pak se një javë para vdekjes së tij, prokurorët në Caltanissetta të Sicilisë kishin kërkuar vendosjen e tij në arrest shtëpiak, në kuadër të hetimeve për përpjekje të dyshuara për pengimin e hetimeve mbi atentatin me bombë në Palermo, më 1992, ku u vra gjyqtari antimafia Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij policore.

Një gjyqtar e kishte refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak, por prokuroria ishte ankuar ndaj këtij vendimi dhe pritej që për ankesën të merrej një vendim gjatë javëve në vijim.

Lajmi për hetimet ndaj De Gennaros kishte shkaktuar tronditje në Itali. Ai kishte mohuar çdo përfshirje në veprime të kundërligjshme.

Avokati i tij, Francesco Bertorotta, i cili kishte biseduar me të gjatë javës, tha për gazetën La Repubblica se ish-shefi i Policisë ishte thellësisht i tronditur nga akuzat.

“Ai më ishte dukur i dëshpëruar, pasi duhej të mbrohej nga akuza që i konsideronte të padrejta dhe shpifëse”, deklaroi avokati.

Hetimet për vrasjen e Borsellinos

Sipas raportimeve të mediave italiane, De Gennaro është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në fshat, në rajonin e Toskanës, pasi familjarët kishin ngritur alarmin kur nuk kishin arritur të kontaktonin me të.

Prokuroria në Grosseto, provincën ku ndodhet shtëpia e tij, ka nisur hetime për dyshimin e nxitjes së vetëvrasjes, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Sipas kësaj agjencie, pranë trupit të tij nuk janë gjetur letra apo mesazhe.

Mënyra se si janë zhvilluar hetimet për vrasjen e Paolo Borsellinos mbetet një prej kapitujve më të debatueshëm të historisë së fundit italiane.

Më pak se dy muaj para vrasjes së Borsellinos, një tjetër atentat me bombë i mafias kishte vrarë gjyqtarin antimafia Giovanni Falcone, bashkëpunëtor i afërt i tij.

Policia kishte identifikuar disa të dyshuar për vrasjen e Borsellinos, të cilët më vonë ishin shpallur të pafajshëm. Hetimet e mëvonshme u përqendruan edhe në pretendimet se gjatë procesit fillestar të hetimit ishin siguruar dëshmi të rreme përmes rrëfimeve të fabrikuara.

Vetëvrasja e dyshuar e De Gennaros vjen në një moment kur hetimet për një prej vrasjeve më të bujshme të luftës së shtetit italian kundër mafias kanë marrë një drejtim të ri.