Tragjedi në Padova: Punëtori shqiptar humb jetën pas rënies në boshtin e ashensorit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Padova të Italisë, ku një punëtor shqiptar, 51-vjeçar, ka humbur jetën pas një aksidenti në punë. Viktima është identifikuar si Altin Kokici.

Mediat italiane raportojnë se trupi i pajetë i shqiptarit u zbulua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në një kantier ndërtimi. Sipas hetimeve paraprake, Kokici dyshohet të ketë rënë në hapësirën e ashensorit të ndërtesës, duke gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra.

Alarmi për zhdukjen e tij u dha nga anëtarët e familjes, të cilët kishin humbur kontaktet me të. Duke përdorur teknologjinë e lokalizimit të telefonit, ata arritën të konstatonin se Altini ndodhej ende në kantierin e ndërtimit, ku edhe shkuan për të parë nga afër.

Ai nuk ishte dëgjuar që nga fillimi i pasdites së të mërkurës. Pas thirrjes së familjarëve, forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, ku gjetën furgonin e tij të parkuar afër ndërtesës, me bagazhin ende të hapur. Duke i rënë celularit të 51-vjeçarit, oficerët gjurmuan vendndodhjen dhe zbuluan trupin e tij të pajetë në boshtin e ashensorit.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet e plota të këtij aksidenti tragjik.