Izraeli ka refuzuar planin më të fundit të Shteteve të Bashkuara për paqen në Gaza, duke theksuar se kërkon çarmatimin e plotë të Hamasit përpara tërheqjes së forcave izraelite nga territori.

“Izraeli e refuzon dokumentin me 15 pika,” deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu në fillim të takimit të kabinetit të dielën.

Ai theksoi se ushtria izraelite “nuk do të tërhiqet derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht dhe do të vazhdojë të pengojë çdo kërcënim ndaj forcave dhe qytetarëve tanë.”

“Kur them çarmatosni Hamasin, kjo nënkupton armë të rënda, armë të lehta, të gjitha llojet e armëve. Po flasim për një çarmatim të vërtetë, jo një të rremë,” shtoi Netanyahu.

“Po e diskutojmë këtë çështje me amerikanët. Ata kanë ide, disa prej të cilave janë të pranueshme për ne e disa jo, dhe ne dimë si t’i kundërshtojmë ato pika me të cilat nuk pajtohemi,” vijoi ai.

“Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të krijohet asnjë shtet palestinez, as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor,” theksoi Netanyahu.

Në fund të korrikut, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi atë që ai e cilësoi si një marrëveshje historike, që synonte çarmatimin e Hamasit dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Kjo erdhi disa muaj pasi ishte njoftuar një marrëveshje armëpushimi, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, mes Hamasit dhe Izraelit.

Hamasi deklaroi se do ta miratonte marrëveshjen vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet në Gaza dhe tërheq trupat në “vijën e verdhë”, siç ishte përcaktuar nga marrëveshja e armëpushimit e tetorit.

Aktualisht, forcat izraelite mbajnë të pushtuar më shumë se gjysmën e Gazës, në pjesën lindore dhe jugore të territorit.