Izraeli Vret Zyrtarin e Lartë Iranian të Inteligjencës; Ministri Katz: Do T’i Ndjekim Një Nga Një
Izraeli ka vrarë një zyrtar të lartë të sigurisë iraniane, Gjeneralmajor Majid Khademi, kreun e inteligjencës i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit. Lajmi u konfirmua si nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), ashtu edhe nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
Gjeneralmajor Majid Khademi u vra në një atentat të hënën në mëngjes, sipas një deklarate të Gardës Revolucionare, siç raporton CNN.
IRGC e përshkroi atë si një “komandant shumë të respektuar” që i kishte dedikuar “gati gjysmë shekulli shërbim besnik dhe të guximshëm Revolucionit”.
Që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, Izraeli ka shënjestruar dhjetëra zyrtarë të lartë të IRGC-së, ushtrisë iraniane dhe grupit paraushtarak Basij.
Katz deklaroi se Khademi ishte një nga ata që ishin “drejtpërdrejt përgjegjës” për vdekjen e civilëve izraelitë dhe një nga “tre figurat më të larta” në IRGC.
“Udhëheqësit e Iranit po jetojnë me një ndjenjë persekutimi. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim një nga një,” theksoi Katz.
Ai shtoi se sulmet izraelite kishin shkaktuar dëme të rënda në infrastrukturën e çelikut dhe industrinë petrokimike të Iranit. “Dhe sot, e çdo ditë, do të ketë më shumë [sulme] që do të vijnë,” përfundoi ai.
