**Jahjaga: Përparimi i grave matet me ndikimin në vendimmarrje, jo vetëm me përfaqësimin**
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se përparimi i grave nuk duhet të matet thjesht me praninë e tyre në institucione, por me fuqinë dhe ndikimin që ato kanë në proceset vendimmarrëse. Ajo vuri në dukje se dekada e ardhshme kërkon një kalim nga përfaqësimi te ndikimi dhe nga zotimet te rezultatet konkrete.
Këto deklarata Jahjaga i bëri gjatë konferencës ndërkombëtare “Partneritet për ndryshim: gratë që transformojnë sistemet – avancimi i parimeve të Prishtinës 2026–2035”, ku adresoi arritjet dhe sfidat në forcimin e rolit të grave.
“Katërmbëdhjetë vjet më parë ishte një moment i rëndësishëm, dhe sot kemi mundësinë ta shndërrojmë atë kujtesë në përgjegjësi, duke njohur progresin dhe duke reflektuar mbi atë që ende mbetet e papërfunduar, ndërkohë që përcaktojmë ambiciet tona për dekadën në vijim,” theksoi ajo. “Në vitin 2012, Parimet e Prishtinës artikuluan një vizion që sot duhet të jetë standard i qeverisjes demokratike, sepse pa pjesëmarrjen e plotë dhe udhëheqjen e grave nuk mund të ketë siguri gjithëpërfshirëse, drejtësi të plotë, zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe afatgjatë.”
Ajo vlerësoi se, pavarësisht pranisë më të madhe të grave në institucione dhe fusha të ndryshme, është ende thelbësore që përfaqësimi i tyre të përkthehet në ndikim real dhe të prekshëm.
“Ndërsa 14 vjet më vonë, gratë janë më të pranishme në institucione, në drejtësi, diplomaci, siguri, ekonomi dhe akademi. Por pikërisht ky progres duhet të na bëjë edhe më të përgjegjshëm ndaj asaj që parashikojmë për dekadën e ardhshme,” u shpreh Jahjaga. “Përparimi nuk matet vetëm me praninë e grave; ai matet me fuqinë e tyre për të formësuar vendimet. Përfaqësimi është i domosdoshëm, por nuk është qëllim në vetvete. Barazia në ligj merr kuptim vetëm kur përkthehet në barazi mundësish, qasje në burime dhe mundësi reale për të udhëhequr. Prandaj, dekada që kemi përpara kërkon një standard më të lartë: nga përfaqësimi te ndikimi, nga qasja te autoriteti, nga zotimet te rezultatet dhe nga përfshirja në sistem te aftësia për ta transformuar atë. Ky është kuptimi i konferencës sonë ‘Gratë që transformojnë sistemet’.”
