Japonia mahnit botën e futbollit, trajneri zbulon çelësin e suksesit
Japonia po konfirmohet si një nga surprizat më të këndshme të Kupës së Botës. Pas barazimit spektakolar 2-2 ndaj Holandës, përfaqësuesja aziatike dha një tjetër sinjal të fuqishëm, duke mposhtur Tunizinë me rezultat bindës 4-0 dhe duke marrë kreun e Grupit F.
Pas ndeshjes, trajneri Hajime Moriyasu ia atribuoi suksesin jo vetëm futbollistëve, por edhe punës së madhe dhe përkushtimit të stafit teknik pas kuintave.
“Ne u përgatitëm shumë mirë për atë që donim të bënim në fushë dhe luajtëm në mënyrë agresive. Gjatë përgatitjeve, stafi teknik na shpjegoi qartë çdo detaj, dhe falë kësaj lojtarët arritën të shfaqin potencialin e tyre maksimal”, deklaroi Moriyasu.
Trajneri japonez nuk harroi të falënderonte as tifozët, të cilët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme në stadiumin e Monterreyt.
“Shumë tifozë japonezë udhëtuan deri këtu. Ata kënduan himnin me ne dhe na mbështetën gjatë gjithë ndeshjes. Përkrahja e tyre ishte një shtysë e madhe për skuadrën”, theksoi ai.
Me katër gola të shënuar dhe një paraqitje dominuese ndaj Tunizisë, Japonia po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit sportiv në Botërorin e SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë. Ekipi i Moriyasut po dëshmon se nuk është thjesht një surprizë kalimtare, por një skuadër me potencial që mund t’u shkaktojë shumë probleme edhe favoritëve të mëdhenj të turneut, raporton “Gazeta Express”.
