Jarinje: Policia arreston dy serbë, u gjejnë thika dhe bluza me simbole nacionaliste në veturë

Policia e Kosovës, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, ka ndaluar për kontroll në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, një automjet me targa serbe (VA). Ndalimi, i bazuar në dyshime, u krye në vijën e dytë të kontrollit, ku në veturë ndodheshin dy persona.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

* 5 thika, (dy prej tyre taktike/luftarake);
* 1 kamerë Go-Pro (me mbajtës);
* 2 bluza me simbole dhe mbishkrime nacionaliste, si ‘Freedom or Death’ & ‘Defend Europe since 1312’ ‘Regrut’;
* 2 pajisje shumëfunksionale;
* 1 flamur i Serbisë (me emblemën SRB);
* 1 vulë me katër S dhe me mbishkrimin ‘Udruzenje Ljubitelja Srednjvekovnih Borilackih Sportova, Sremski Karlovci’;
* 1 kartë identiteti.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”. Dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.