Dembélé: Franca ndër favoritët e Botërorit, flet për Deschamps dhe Zidane
Sulmuesi i kombëtares franceze, Ousmane Dembélé, ka shprehur besimin se “Gjelat” do të hyjnë në Botërorin e ardhshëm si një nga skuadrat favorite për të fituar trofeun. Megjithatë, ai thekson se në një kompeticion të tillë nuk ka vend për garanci.
Duke folur për sfidën, Dembélé theksoi se konkurrenca është e fortë: “Ka shumë skuadra favorite. Argjentina është kampionia në fuqi, Spanja e fitoi Evropianin, ndërsa Anglia, Gjermania, Portugalia dhe Brazili kanë gjithashtu ekipe shumë të forta. Ne e dimë se jemi ndër favoritët, por kur fillojnë ndeshjet, gjithçka vendoset në fushë.”
Dembélé u ndal gjithashtu te trajneri aktual, Didier Deschamps, i cili pritet të largohet nga stoli i Francës pas përfundimit të Botërorit. Sipas sulmuesit, skuadra ka dëshirë t’i dhurojë një fund të denjë rrugëtimit të një trajneri që ka shkruar historinë e kombëtares franceze.
“E dimë se ky është turneu i fundit i Deschamps. Ai na ka dhënë shumë dhe duam ta mbyllim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Dembélé.
Sa i përket mundësisë që legjenda franceze Zinedine Zidane të marrë drejtimin e kombëtares pas largimit të Deschamps, Dembélé deklaroi se ish-trajneri i Real Madridit do të ishte zgjedhja ideale për stolin e “Gjelave”.
