Kadetët e FSK-së përfaqësojnë Kosovën në Akademinë Ushtarake në Gjermani

Një delegacion kadetësh nga Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë në Javën Ndërkombëtare të Kadetëve, e cila u mbajt në Akademinë Ushtarake në Dresden të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të FSK-së, pjesëmarrja në këtë aktivitet u realizua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake ndërkombëtare.

Ky aktivitet mblodhi udhëheqës të ardhshëm ushtarakë nga shtete të ndryshme aleate, duke u ofruar kadetëve mundësinë të shkëmbenin përvoja dhe të njiheshin me metodat bashkëkohore të trajnimit, doktrinës dhe udhëheqjes ushtarake.

Vizita shërbeu gjithashtu për të forcuar diplomacinë mbrojtëse dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi e besimi me partnerët ndërkombëtarë.

FSK-ja theksoi se përfaqësimi i kadetëve në këtë veprimtari dëshmon përkushtimin për ngritjen profesionale sipas standardeve më të larta të NATO-s.