Arrestohet në Morinë një 34-vjeçar nga Ferizaj, i kërkuar nga Gjermania për trafik droge
Një 34-vjeçar nga Ferizaj është arrestuar sot në Pikën Kufitare të Morinës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ndaluan në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe më pas arrestuan shtetasin kosovar Y. A., 34 vjeç, banues në Ferizaj, me qëllim ekstradimin e tij.
Pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, u konfirmua se 34-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Wiesbadenit në Gjermani. Kjo gjykatë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj tij për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, sipas legjislacionit penal gjerman.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët gjermanë, po vijon procedurat e nevojshme për ekstradimin e të arrestuarit drejt Gjermanisë.
