**Botërori 2026: Risia me Kartonët e Verdha – Anulimi Pas Fazës së Grupeve dhe Çerekfinaleve**
Botërori i Futbollit 2026 do të sjellë risi të shumta, jo vetëm sa i takon numrit të skuadrave pjesëmarrëse. Përveçse do të jetë kompeticioni me më shumë kombëtare në historinë e Kupës së Botës, ai do të përfshijë edhe ndryshime thelbësore lidhur me teknologjinë dhe rregullat e lojës.
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme ka të bëjë me menaxhimin e kartonëve të verdhë. Për herë të parë, kartonët e verdhë të marrë gjatë fazës së grupeve do të anulohen plotësisht pas përfundimit të saj. Po ashtu, një anulim i dytë i kartonëve të verdhë do të bëhet pas ndeshjeve çerekfinale, duke i shlyer ato plotësisht përpara fazës gjysmëfinale.
Ky lajm është mësuar nga burime jozyrtare pranë Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe pritet të zyrtarizohet në një të ardhme të afërt. Me këtë ndryshim, lojtarët do të kenë një mundësi më të madhe për të mos humbur ndeshje kyçe të kompeticionit, veçanërisht duke favorizuar kombëtaret më pak të forta, të cilat shpesh ndeshen me vështirësi në menaxhimin e kartonëve ndërsa avancojnë në faza të ndryshme.
