**KEDS: Stuhia dëmtoi rrjetin elektrik, po punohet intensivisht për rikthimin e plotë të furnizimit**

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) ka njoftuar se ekipet e tij po punojnë intensivisht në terren për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e plotë të furnizimit me energji elektrike. Kjo vjen pas ndërprerjeve të shumta që prekën disa komuna të enjten mbrëma, shkaktuar nga erërat e forta.

Belona Dallaveraj, zëdhënëse e KEDS-it, ka bërë të ditur se zonat më të prekura nga ndërprerjet e energjisë kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtime, Drenasi, Obiliqi, Fushë-Kosova, Podujeva dhe Ferizaj.

Ajo ka theksuar se: “Brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit, ekipet tona kanë arritur të rikthejnë furnizimin me energji elektrike për rreth 80% të konsumatorëve të prekur. Njëkohësisht, janë lokalizuar dëmtimet në shtylla dhe kabllo në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit shpërndarës ku ishin evidentuar defekte.” Dallaveraj shtoi se ekipet vazhdojnë punën në terren për adresimin e plotë të situatës.