**Kuvendi nis hartimin e Agjendës Parlamentare për Barazi Gjinore 2027–2030**
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt sot takimi fillestar për nisjen e hartimit të Agjendës Parlamentare për Barazi Gjinore 2027–2030.
Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit, në fjalën e saj theksoi se gratë në Kosovë, megjithëse të drejtat u garantohen me ligj, vazhdojnë të përballen me padrejtësi në thuajse të gjitha aspektet e jetës. Ajo theksoi se barazia gjinore duhet të jetë prioritet kombëtar dhe se procesi i hartimit të Agjendës duhet të marrë parasysh përparimet e shënuara në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave.
Haxhiu rikujtoi se Kosova ka një legjislacion të avancuar, duke përmendur Kushtetutën, Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventën e Stambollit dhe rezolutën për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-së mbi “Gratë, Paqja dhe Siguria”. Ajo theksoi rolin thelbësor të Kuvendit në zbatimin e këtyre dokumenteve, duke u zotuar për angazhim maksimal bashkë me komisionet parlamentare.
Kryetarja Haxhiu njoftoi se procesi i hartimit të agjendës nuk do të bazohet vetëm në raporte zyrtare, por edhe në konsultime të drejtpërdrejta në terren. Gjatë nëntorit dhe dhjetorit, ajo paralajmëroi vizita në shtatë qendrat rajonale të Kosovës për t’u takuar me organizata lokale, strehimore për viktima të dhunës, gra nga zonat rurale, ato të komuniteteve jo-shumicë, gra me aftësi të kufizuara dhe veçanërisht me gra asambleiste nëpër komuna, duke pasur parasysh rolin e tyre kyç në trajtimin e dhunës ndaj grave dhe avancimin e barazisë gjinore.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, gjithashtu Koordinatore Kombëtare për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna në familje, mbajti një fjalë përshëndetëse. Gërvalla theksoi se në cilësinë e ministres së Drejtësisë, ka iniciuar ndryshime thelbësore ligjore, me qëllim forcimin e kornizës ligjore, ashpërsimin e masave kundër dhunës në familje dhe femicidit, si dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.
Ajo prezantoi statistika shqetësuese për dhunën në familje, ku viktimat janë kryesisht gra dhe vajza. Gjatë dhjetë muajve të fundit, u regjistruan 2,361 raste të dhunës në familje, përfshirë 171 fëmijë. Po ashtu, ajo bëri të ditur se në këtë periudhë janë shënuar tetë vrasje të grave në Kosovë.
Fatmire Kollçaku Mulhaxha, Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, theksoi se kjo agjendë do të jetë një mekanizëm thelbësor për monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe agjencive të pavarura. Komisioni do të jetë drejtpërdrejt i angazhuar në procesin konsultativ, në integrimin e perspektivës gjinore në buxhetin e shtetit dhe në adresimin e rekomandimeve të dala nga terreni. Kjo, sipas saj, do të sigurojë që barazia gjinore dhe mbrojtja e grave nga dhuna të jenë prioritete të matshme në punën e Kuvendit.
Arieta Rexhepi, Kryetare e Grupit të Grave Deputete, siguroi se deputetet e Kuvendit do të jenë gjithmonë të gatshme të kontribuojnë në avancimin e barazisë gjinore dhe të mbikëqyrin zbatimin praktik të ligjeve që lidhen me dhunën.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësuese të organizatave të ndryshme joqeveritare (OJQ), të cilat ndanë pikëpamjet e tyre për Agjendën Parlamentare 2027–2030. Vlora Tuzi-Nushi, menaxhere e programit të UN Women në Kosovë, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit dhe organizatave që punojnë për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore do të sjellë rezultate konkrete. Përfaqësuese të tjera të OJQ-ve shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në këtë proces.
