**KEK-u Ndërpret Funksionimin e Njësisë A4 për Shkak të Problemeve Teknike**
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se Njësia A4 është ndalur në mënyrë të kontrolluar më 11 gusht, në orën 00:00, pas konstatimit të disa parregullsive teknike.
Sipas KEK-ut, ndalimi i njësisë u bë si masë parandaluese dhe në përputhje me kërkesat e sigurisë teknike, me qëllim që të krijohen kushtet e nevojshme për kontrolle dhe ndërhyrje në pajisjet e saj.
“Ekipet profesionale janë angazhuar menjëherë për të vlerësuar gjendjen teknike, identifikuar shkakun dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për eliminimin e problemit,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata thekson se Njësia A4 do të rikthehet në operim pas përfundimit të të gjitha kontrolleve dhe ndërhyrjeve teknike, si dhe pasi të konfirmohen kushtet e sigurta për funksionim.
KEK ka nënvizuar se për zhvillimet e mëtejshme dhe kohën e rikthimit të njësisë në punë, publiku do të njoftohet me kohë.
