**Bebe Rexha mbështet studentët shqiptarë në Shkup: “Kemi luftuar ta ruajmë gjuhën”**

Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, me origjinë shqiptare, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për protestën e studentëve shqiptarë që pritet të mbahet nesër në Maqedoninë e Veriut.

Nëpërmjet disa postimeve në rrjetin social Instagram (në funksionin “Story”), Rexha ka shpërndarë thirrjen për këtë protestë dhe, përmes një mesazhi të shkurtër, ka theksuar rëndësinë e kërkesave të tyre.

Në mesazhin e saj, këngëtarja ka theksuar: “Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Përgjatë brezave, kemi luftuar ta ruajmë dhe ta mbajmë gjallë. Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet e tij, ku gjuha shqipe njihet si gjuhë bashkëzyrtare.”

Bebe Rexha sqaroi se studentët po protestojnë kundër pengimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ajo shtoi po ashtu se studentët shqiptarë meritojnë të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë qytetarët e tjerë.