Kërkohet Drejtësi e plotë dhe Kompensim për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës në Kosovë
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizoi një konferencë rajonale me rastin e 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë. Konferenca, me temë “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”, theksoi nevojën urgjente për drejtësi të plotë dhe kompensim për viktimat, raporton Ekonomia Online.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Goodman, shprehu thellësisht se data 14 prill 1999 ishte një ditë që i ndryshoi përgjithmonë jetën. Ajo theksoi se shpirti i saj do të gjejë paqe vetëm kur drejtësia të vihet plotësisht në vend.
“Sot është 14 prilli. Për shumë prej jush është vetëm një ditë në kalendar, por për mua është një ditë që ma ndryshoi jetën, ma shkatërroi fëmijërinë. Dua të flas nga zemra; unë e di çfarë do të thotë të përballesh me padrejtësi nga ndërkombëtarët, por edhe nga shteti ynë. Isha vetëm 17 vjeçe kur kërkova drejtësi dhe kurrë nuk u ndala. Në vitin 2013, ndërkombëtarët dhe shteti ynë ma mohuan drejtësinë. Por kur fillova të flas publikisht në vitin 2018, filloi ndryshimi, dhe ajo që mund të duket si një ndryshim i vogël për dikë, bën një ndryshim të madh për të tjerët. Prej atëherë kemi katër raste të dënuara, gjë që më parë nuk kishte ekzistuar as nga shteti ynë, as nga ndërkombëtarët, prandaj unë jam krenare për ndryshimet që po ndodhin në shtetin tonë. Ju bëj thirrje të gjithëve të dalin publikisht dhe të kërkojnë drejtësi… Shpirti im do të ketë paqe kur drejtësia të vihet në vend, jo vetëm për rastin tim, por për 20 mijë viktima të tjera,” u shpreh Krasniqi Goodman.
Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, theksoi se edhe pas mbi dy dekadash, shumë raste të dhunës seksuale mbeten të pandëshkuara. Sipas saj, drejtësia nuk është e plotë pa kompensimin e viktimave.
“Sot jemi mbledhur më 14 prill, në Ditën Memoriale të viktimave të luftës, dhe nderojmë të gjitha ato gra, vajza, burra e djem që përjetuan këtë krim gjatë rrethanave të luftës. Nderojmë edhe ata që nuk janë më në mesin tonë. Kujtojmë guximin e Vasfije Krasniqi-Goodman, një vajze të re që padrejtësisht e përjetoi këtë krim. Kujtojmë thirrjen e saj nga vendi i krimit që kjo ditë të jetë ditë përkujtimore për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës dhe nderojmë të gjithë ata zëra, vajza e burra, që në heshtje kërkojnë shërim dhe drejtësi, sepse kërkesa jonë kolektive nuk mund të ekzistojë pa thirrjen kolektive të tyre, pasi trauma e tyre nuk njeh afat dhe as njohja institucionale nuk mund të kufizohet në kohë… Kjo konferencë rajonale ka për qëllim avancimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Drejtësia nuk përfundon vetëm me përgjegjësinë penale, por përfshin edhe rikthimin e dinjitetit, pranimin e asaj që ka ndodhur dhe kompensimin e dëmeve të pësuara në rrethana lufte,” theksoi ajo.
Nënkryetari i parë i Kuvendit, Ardian Gola, theksoi se sfida kryesore qëndron te hendeku i vazhdueshëm midis njohjes së krimit dhe ndëshkimit të autorëve.
“Kjo pjesë e historisë sonë është dokumentuar, është rrëfyer dhe është vulosur në kujtesën e të mbijetuarve dhe në ndërgjegjen e të gjitha institucioneve që kanë zgjedhur të marrin seriozisht përgjegjësinë për drejtësi. Pyetja që qëndron sot para nesh është: nëse ky krim ka ndodhur, pse edhe pasi është njohur, dokumentuar dhe emërtuar si një nga format më të rënda të krimeve të luftës, drejtësia mbetet fatkeqësisht ende e paarritur për shumë prej atyre që e kanë përjetuar? Sfida që kemi përballë qëndron te hendeku që vazhdon të ekzistojë ndërmjet njohjes së krimit dhe ndëshkimit të autorëve, ndërmjet pranimit moral të së vërtetës dhe përkthimit të saj në drejtësi konkrete. Pikërisht këtu qëndron pesha e punës së institucioneve tona të drejtësisë,” tha Gola.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vuri në dukje se ministria që ajo drejton ka pasur në fokus të veçantë çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale, e cila u përdor si armë kundër qytetarëve civilë të Republikës së Kosovës.
“Njohja e plotë e së vërtetës së luftës në Kosovë mbetet ende sfidë në shoqërinë tonë. Ka shumë të vërteta të mëdha, por disa të vërteta të vogla po i harrojmë. Po harrojmë faktin që dhuna seksuale si armë lufte kundër grave, vajzave, fëmijëve dhe burrave tanë synonte thyerjen e shpirtit të kombit tonë, shpirtit të popullit tonë. Çdo grua, vajzë, fëmijë apo burrë mund të kishte qenë viktimë e dhunës seksuale në vitet 1998-1999; ishte thjesht rastësi kujt i ra të ishte në vendin dhe kohën e gabuar në atë moment,” shtoi Gërvalla.
