Java e 27-të e ProCredit Superligës së Basketbollit pritet të sjellë përballje tejet interesante dhe sfida kyçe. Me afrimin e fazës së play-off-it, skuadrat synojnë pozicionimin sa më të mirë në tabelë përpara garave eliminatore.
Trepça dhe Bashkimi e kanë siguruar tashmë vendin në gjysmëfinale të play-off-it. Ndërkohë, një garë e ashpër vazhdon për katër vendet e tjera që çojnë në fazën eliminatore, si dhe për skuadrat që luftojnë për mbijetesë në elitën e basketbollit.
Golden Eagle Ylli dhe Peja kanë pikë të barabarta, por objektivi i tyre mbetet vendi i katërt. Ky pozicion siguron avantazhin e fushës në ndeshjet çerekfinale, një përparësi kyçe në këtë fazë të garës.
Të shtunën, disa sfida me rëndësi të veçantë do të mbushin programin e kësaj jave.
Rahoveci 029, pas fitores ndaj Vëllaznimit, hyn në këtë javë i motivuar për një tjetër sukses. Ata do të përballen me kampionin dhe liderin aktual, Trepçën. “Vreshtarët” renditen në vendin e shtatë me nëntë fitore dhe 17 humbje, ndërsa mitrovicasit kryesojnë me 23 fitore dhe vetëm tri humbje.
Një tjetër përballje me rëndësi të madhe është ajo mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit. Prishtinasit kanë shënuar dhjetë fitore dhe 16 humbje, ndërsa skuadra “kuqezi” pozicionohet në vendin e fundit të tabelës me tetë fitore dhe 18 humbje, duke kërkuar pikë thelbësore për mbijetesën në ligë.
