KFOR-i, EULEX-i, Policia dhe FSK-ja Stërviten me “Shpatën e Artë”

KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) zhvilluan një ushtrim të përbashkët, të quajtur “Shpata e Artë” (Golden Sabre), në poligonin stërvitor të Kampit Vrelo.

Qëllimi i ushtrimit, sipas njoftimit të KFOR-it, ishte rritja e gatishmërisë dhe përmirësimi i koordinimit ndërmjet institucioneve të sigurisë, për t’iu përgjigjur krizave dhe situatave emergjente në Kosovë.

Gjatë stërvitjes u simuluan skenarë të ndryshëm, duke përfshirë menaxhimin e turmave dhe trazirave, evakuimin e shpejtë mjekësor, si dhe identifikimin e trajtimin e mjeteve shpërthyese e materialeve të rrezikshme.

Pjesëtarët e KFOR-it dhe FSK-së ushtruan gjithashtu procedurat për trajtimin e rreziqeve kimike dhe mjedisore, në një mjedis të simuluar të kontaminuar.

Komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe profesionalizmit në garantimin e sigurisë.

“Ky është thelbi i misionit tonë. Bëhet fjalë për njerëzit, për sigurinë e tyre dhe tonën. Kjo është ajo që ne jemi këtu për të ofruar: me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim,” deklaroi Vergori.

KFOR-i njoftoi se ushtrime të përbashkëta do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve vendase dhe ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për të mbështetur një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.