KFOR monitoron nga afër themelimin e Xhandarmërisë, pret detaje nga institucionet e Kosovës
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se po i përcjell me vëmendje zhvillimet lidhur me vendimin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për themelimin dhe funksionimin e Xhandarmërisë së Kosovës. KFOR thekson se i takon institucioneve vendore të japin komente më të detajuara rreth kësaj çështjeje.
Ministri Sveçla njoftoi më 19 maj se ka nënshkruar themelimin e një grupi punues, i cili do të analizojë dhe propozojë modalitetet për funksionimin e Xhandarmërisë.
Në një përgjigje për Kallxo.com, KFOR theksoi: “Jemi duke i përcjellë nga afër deklarimet e vazhdueshme të institucioneve në Kosovë lidhur me këtë çështje. U takon atyre të japin komente më të detajuara. NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e saj për siguri të qëndrueshme në Kosovë, në dobi të të gjithëve.”
Misioni i NATO-s rikujtoi se, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i garanton një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Kjo realizohet në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ku secili vepron në kuadër të rolit të vet si aktor sigurie.
KFOR-i shprehu gjithashtu pritshmërinë që institucionet e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë qasjen bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuar në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Ai përmendi edhe mbështetjen e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar të mbrojtjes civile.
Në anën tjetër, ministri Sveçla shpjegoi se Xhandarmëria do të funksionojë si Agjenci e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Ai theksoi se kjo forcë do të jetë “një hap i rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë”, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Sipas tij, Xhandarmëria do të forcojë kapacitetet për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi në një konferencë për media se shumë shpejt me ministrin Sveçla do të bëjnë të ditur detaje të tjera lidhur me xhandarmërinë. Më 20 maj, ai u shpreh se kjo strukturë është menduar prej kohësh, duke mbuluar një “zonë e cila është më shumë se policia e më pak se ushtria”, përfshirë ruajtjen e kufirit, luftimin e terrorizmit, mbylljen e çfarëdo shtegu të kontrabandës dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Më 20 maj, kryeministri Kurti priti në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO, Kevin Hamilton. Zyra e Kryeministrit njoftoi se mes temave të bisedës, si marrëdhëniet mes Kosovës dhe NATO-s dhe siguria rajonale, u diskutua edhe për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës. Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture për forcimin e sigurisë dhe koordinimin me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim.
Xhandarmëria përkufizohet si një forcë sigurie me status ushtarak që kryen detyra policore dhe të rendit publik, duke u konsideruar si një strukturë ndërmjet policisë dhe ushtrisë. Shtete anëtare të NATO-s, si Franca dhe Turqia, posedojnë struktura të ngjashme.
Xhandarmëria Kombëtare Franceze është një forcë ushtarake përgjegjëse për zbatimin e ligjit, me juridiksion të plotë mbi popullsinë civile në misione të policisë gjyqësore, sigurisë publike, rendit dhe inteligjencës. Ajo zbaton aftësitë e saj të ndërveprueshme policore dhe ushtarake si në territorin kombëtar ashtu edhe jashtë vendit, duke shërbyer si një mjet për menaxhimin e krizave në të gjithë spektrin e konflikteve.
Xhandarmëria e Republikës Turke është një organizatë e armatosur e sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit, që ruan sigurinë, mbrojtjen dhe rendin publik, duke ekzekutuar detyrat e caktuara nga ligjet dhe dekretet presidenciale. Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë është në varësi të Ministrisë së Brendshme.
