Prokuroria Speciale e Kosovës ka rrëzuar kallëzimin penal ndaj kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, disa anëtarëve të kryesisë dhe gjashtë minatorëve. Ky vendim, i cili i jep fund akuzave të ngritura nga menaxhmenti i mëparshëm, është pritur me entuziazëm nga Sindikata, e cila thekson se “askush s’mund ta heshtë zërin e minatorit”.

Vendimi i Prokurorisë Speciale bën të qartë se nuk është vërtetuar me asnjë provë fakti se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të sabotimit, keqpërdorimit të së drejtës së grevës apo ndonjë vepër tjetër penale. Këto akuza kishin qenë nismë e menaxhmentit të kaluar të Trepçës.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, nëpërmjet një reagimi, e ka konsideruar këtë moment si shumë të rëndësishëm jo vetëm për ta si sindikatë, por për gjithë sindikalizmin në Kosovë. Ajo ka kritikuar ashpër ata drejtues që, sipas saj, “kur ulen në karrige drejtuese mendojnë se janë mbi ligjin, mbi punëtorin dhe mbi sindikatën” dhe që “përmes presionit, shantazhit, suspendimeve e kallëzimeve penale mendojnë se mund ta heshtin zërin e minatorit”.

Sipas Sindikatës, Prokuroria Speciale ka theksuar se reagimet dhe greva 10-ditore e tetorit 2023 kanë qenë reagime sindikale dhe mbrojtje e të drejtave të punëtorëve, dhe jo vepra penale. Prokuroria ka konstatuar se “reagimi i punëtorëve dhe kryetarit të kësaj sindikate ka qenë me pasoja të drejtpërdrejta ndaj tyre dhe cenim të të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës dhe jo një veprim me karakter penal nga ana e tyre”.

Për Sindikatën, kjo është “fitore e sindikalizmit, fitore e minatorëve dhe fitore e së drejtës për të ngritur zërin kundër padrejtësisë”. Ajo ka theksuar se askush nuk mund ta kriminalizojë protestën sindikale, as ta frikësojë apo shuajë zërin e punëtorit. Sindikata ka paralajmëruar se do të vazhdojë të reagojë sa herë cenohen kushtet e punës, dinjiteti dhe të drejtat e minatorëve, duke shtuar se ata që ndërtuan kallëzime të rreme “do të përballen me përgjegjësi për shpifjet dhe kallëzimet e rreme”. Minatorët, siç thuhet në reagim, “nuk janë dorëzuar as në kohët më të vështira, as përballë okupatorëve, e aq më pak do të dorëzohen sot”.

Në fund, Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka vlerësuar se “në këtë vend ende ka prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm që mbrojnë ligjin, lirinë e shprehjes dhe të drejtën sindikale”, duke rikonfirmuar angazhimin e saj si “zëri i minatorit” dhe “mbrojtësit e dinjitetit të punëtorit”.