Klimatologu gjerman paralajmëron: Kjo verë, ndoshta më e ftohta në 300 vitet e ardhshme
Pas një vale ekstreme të të nxehtit, rajoni i Tirolit në Austri është goditur nga reshje të dendura shiu dhe rrëshqitje të shumta dheu. Meteorologu dhe klimatologu, Andreas Jager, thekson se këto nuk janë më thjesht dukuri të izoluara, por shenja të një realiteti të ri klimatik.
Sipas Jagerit, një qershor i tillë nuk është regjistruar që nga fillimi i mijëvjeçarit. Ai e konsideron valën e fundit të të nxehtit, së bashku me atë të vitit 2015, ndër më intensivet e regjistruara ndonjëherë, ndërsa mbi gjysma e stacioneve meteorologjike kanë raportuar temperatura rekord.
“Kjo është ndoshta vera më e ftohtë që do të shohim në 300 vitet e ardhshme”, deklaroi Jager për ‘Tirol TV’. Ai paralajmëroi se temperaturat ekstreme, stuhitë e fuqishme dhe kushtet e tjera të pazakonta të motit do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
