Klubi aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” ka shkruar histori në Spanjë, duke dominuar garën ndërkombëtare në disiplinën e uljes së saktësisë (Accuracy Landing) të mbajtur në Alicante. Pilotët e rinj të klubit arritën rezultate të jashtëzakonshme, duke u përballur me elitën botërore të paragliding-ut.
Në këtë garë morën pjesë 115 pilotë, prej të cilëve vetëm 61 siguruan të drejtën për të konkurruar. Në mesin e konkurrentëve, ekipi kosovar shkëlqeu me një performancë mbresëlënëse, duke fituar pothuajse të gjitha medaljet kryesore.
Arbër Shala, vetëm 14 vjeç, mori vendin e parë, duke bërë histori në këtë sport. Migjen Shala u rendit i treti, ndërsa Lisjeta Thaqi zuri vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm.
Lisjeta Thaqi triumfoi në konkurrencën e femrave, duke siguruar vendin e parë, ndërsa Anisa Shala zuri vendin e katërt. Edhe në kategorinë e juniorëve, Arbër Shala shkëlqeu sërish me vendin e parë, i pasuar nga Anisa Shala në vendin e dytë.
Sukseset individuale u kurorëzuan me triumfin ekipor të Kosovës, e cila siguroi vendin e parë. Ky rezultat dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe punën e vazhdueshme të klubit, nën udhëheqjen e trajnerit Fanol Shala.
