Avokati Arianit Koci ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke theksuar se ajo po gjykon vetëm njëra palë të konfliktit. Koci argumenton se procesi i kësaj gjykate është pjesë e një historie politike dhe institucionale që, sipas tij, ka nisur që nga viti 2008.
Në një postim në Facebook, Koci rendit disa arsye për këtë qëndrim. Ai kujton mocionin e vitit 2008 në Këshillin e Evropës, të lidhur me deputetin rus Konstantin Kosachev, dhe raportin e Dick Martyt. Avokati thekson se, ndonëse pretendimet për trafikim organesh ishin akuza të rënda në atë kohë, ato nuk janë pjesë e aktakuzave në Dhomat e Specializuara. “Për mua, këtu qëndron mashtrimi i madh politik,” shkruan Koci.
Koci thekson se krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së janë trajtuar edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare si Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), UNMIK-u dhe EULEX-i. Një nga kundërshtimet thelbësore të tij është mungesa e një gjykate me mandat të veçantë për të trajtuar krimet e forcave serbe në Kosovë, ndërkohë që Dhomat e Specializuara po gjykojnë vetëm pjesëtarë të UÇK-së. “Po gjykohet vetëm njëra palë e luftës,” ka deklaruar Koci, duke shtuar se “Serbia nuk po gjykohet aty.”
Avokati kritikon edhe mënyrën e funksionimit të gjykatës, e cila, ndonëse e krijuar me ligj të Kosovës, e ka selinë në Hagë dhe operon me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. Ai vë në dukje kohëzgjatjen e proceseve dhe paraburgimin e zgjatur të të akuzuarve, duke përmendur raste ku persona janë mbajtur për vite në paraburgim para verdikteve të shkallës së parë. Koci shton se zhvillimi i proceseve larg Kosovës distancoi publikun nga rrethanat reale të luftës.
“Formalisht po gjykohen individët. Por, pasojat politike po bien mbi UÇK-në, luftën çlirimtare dhe vetë Kosovën,” përfundon Koci. Avokati bën thirrje për mbështetje dhe shpërndarje të qëndrimit të tij, duke paralajmëruar se “faza tjetër është referendumi për këtë çështje.”
