Prokurori Special Bekim Kodraliu deklaroi sot se sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit nuk ishte veprim spontan, por pjesë e një serie sulmesh të organizuara rëndë, që synonin rendin juridik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Kjo u tha gjatë seancës së fjalëve hyrëse në gjykimin për këtë rast.

Prokuroria do të paraqesë prova të mbledhura në bashkëpunim me FBI-në amerikane dhe ekspertiza shkencore nga policia italiane, të cilat, sipas Kodraliut, dëshmojnë fajësinë e të pandehurve për veprën terroriste.

Sipas prokurorit, ky sulm përbën të katërtin e kësaj natyre në tre vitet e fundit, duke pasuar sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë në dhjetor 2022, sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj 2023, vendosjen e barrikadave dhe sulmin në Banjskë në shtator 2023.

Aktakuza ngarkon të pandehurit Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq me veprat penale “Rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e pajisjeve publike” dhe “Vepër terroriste” në bashkëkryerje. Kodraliu theksoi se ky nuk është një rast i zakonshëm, por një sulm i organizuar dhe i planifikuar ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe funksionimin energjetik. Sipas tij, të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, vendosën 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT.

Gjatë kontrolleve, tek të pandehurit u gjetën dhe u sekuestruan armë, municion dhe pajisje ushtarake, për çka akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Për Jovan Viqentijeviqin, Prokuroria ka prova se ka vepruar në dobi të shërbimit inteligjent ushtarak serb, duke mbledhur e transmetuar informacione konfidenciale të sigurisë, duke rrezikuar rendin juridik dhe sigurinë kombëtare. Prandaj, ai akuzohet edhe për veprën penale të spiunazhit në vazhdimësi. Edhe Igor Dimoviq përballet me akuzat për armëmbajtje pa leje.

Provat e Prokurorisë përfshijnë raporte të Policisë së Kosovës, ekspertiza kriminalistike, analiza të ADN-së, ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së, raporte shkencore nga policia italiane, analiza të eksplozivëve (përfshirë ato të KFOR-it amerikan) dhe analiza të pajisjeve elektronike. Prokurori theksoi gjithashtu se prova do të sillen edhe për trajnimet dhe përgatitjet e dyshuara, të zhvilluara në poligonin ushtarak ‘Livadhet e Pasulit’ në Serbi – një vend për të cilin dyshohet se ka edhe varreza masive – të cilat konsiderohen pjesë e përgatitjeve të kundërligjshme kundër shtetit të Kosovës.

Naxhije Sadiku, përfaqësuese e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, mbështeti fjalën e Prokurorisë, duke theksuar se shpërthimi shkaktoi frikë dhe pasiguri te punëtorët. Ajo shtoi se dëmet materiale ishin të konsiderueshme dhe rrezikuan infrastrukturën kritike për furnizimin me ujë të qytetarëve dhe industrive si KEK-u e Ferronikeli. Drejtori i Infrastrukturës, Enes Kërçeli, paralajmëroi se sulmi mund të kishte çuar Kosovën në një krizë të rëndë energjetike dhe sanitare për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.