Kushtrim Kokalla, i akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, ka mohuar me forcë në seancën gjyqësore çdo përfshirje në organizimin apo ndërmjetësimin e krimit. Ai deklaroi se nuk ka pasur rol në orkestrimin e vrasjes dhe se takimet me të pandehurit e tjerë nuk kishin lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet.
Lidhur me paraqitjen në polici natën kritike, Kokalla shpjegoi se ishte thirrur nga policia për t’u dorëzuar në stacionin e Gjakovës. Ai nuk mbante mend orën e saktë, por vlerësoi se kishte qenë në Prishtinë rreth orës 20:00, me intervistimin që kishte filluar rreth 30 minuta më vonë. Ai deklaroi se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Megjithatë, Kokalla konfirmoi se kishte pasur biseda paraprake me hetuesit para intervistimit zyrtar, të cilët, sipas tij, e kishin akuzuar si “kryesori” i vrasjes, edhe pse nuk kishte ngritur gishtin. Hetuesit i kishin thënë se ai “e kishte bërë të gjithë skenarin” dhe se ishte në interesin e të dy palëve të sqaronte si e kishte realizuar atë. Në ato momente, avokati i tij nuk kishte qenë prezent. Kokalla theksoi se e kishte mohuar çdo përfshirje në rast.
Ai mohoi kategorikisht pretendimet e aktakuzës për ndërmjetësim mes të akuzuarve. Kokalla shpjegoi se ishte takuar me Naim Murselin për ta mbajtur afër, pasi kishte marrë një kredi prej 25 mijë eurosh për Murselin. Gjatë një takimi në shtëpinë e re të Murselit në Bernicë, Kokalla u takua edhe me Granit Plavën, me të cilin udhëtuan drejt Prishtinës. Ai deklaroi se e kishte lënë Plavën te stadiumi “Fadil Vokrri” dhe kishte shkuar me taksi te Murseli, ku kishte qëndruar për rreth një orë e gjysmë deri në dy orë. Murseli e kishte shoqëruar më pas te Plava, dhe Kokalla me Plavën ishin kthyer së bashku në Gjakovë rreth orës 21:00.
Kokalla shtoi se nuk kishte njohuri për marrëdhënien e mëparshme mes Murselit dhe Plavës, por nuk mund të përjashtonte njohjen e tyre, pasi ishin bashkëfshatarë. Ai konfirmoi se, pas kthimit në shtëpi, Naim Murseli i kishte shkruar në WhatsApp duke i kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës, të cilin ai ia kishte përcjellë.
Sipas aktakuzës, Kushtrim Kokalla akuzohet për “Vrasje të rëndë” në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”. Aktakuza pretendon se pasi Naim Murseli i kishte kërkuar Kokallës të gjente mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai kishte refuzuar, Kokalla kishte gjetur dhe kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën. Të tre akuzohen se u dakorduan që Plava të kryente vrasjen kundrejt një shume prej 30 mijë eurosh nga Murseli. Dyshohet se Murseli siguroi armën e zjarrit më 29 nëntor 2023, të cilën ia dha Plavës për të kryer vrasjen e Liridona Ademajt.
