Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
Komisioni parlamentar për Kulturë, Rini, Sport dhe Media ka miratuar në parim Projektligjin nr. 10/L-027 për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Vendimi u mor me shtatë vota pro dhe një abstenim, duke hapur rrugën për finalizimin e kuadrit ligjor të kësaj ngjarjeje madhore sportive.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë raportimit theksoi rëndësinë historike të organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë. Ai shpjegoi se qëllimi i projektligjit është të përcaktojë rregullat, procedurat, detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera për organizimin e edicionit të 21-të të këtyre lojërave.
Gashi bëri të ditur se qeveria do të alokojë fonde publike në vlerë prej të paktën 253 milionë, 445 mijë e 501 euro për këtë qëllim. Sipas tij, Kosova, për herë të parë në historinë e saj, do të jetë nikoqire e ngjarjes më të madhe sportive të organizuar ndonjëherë në vend. Ky projektligj shihet si një interes i lartë publik dhe kombëtar, që do të forcojë infrastrukturën sportive, do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe do ta vendosë Kosovën në hartën ndërkombëtare si një organizatore e suksesshme e evenimenteve të mëdha. Ai gjithashtu e cilësoi si një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe fuqizimin e imazhit të shtetit.
Ministri theksoi se projektligji rregullon edhe kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe komunave të tjera, të cilat do të mbajnë detyrimet e tyre në lidhje me organizimin. Burimi kryesor i financimit, i garantuar edhe në dokumentin e kandidaturës, do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës.
Për shkak se Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e Lojërave në vitin 2030, Gashi theksoi domosdoshmërinë e krijimit të kushteve optimale për zhvillimin e këtij aktiviteti sportiv. Ai shtoi se përmes këtij ligji do të krijohen mekanizma të përshtatshëm për organizim, duke siguruar bashkëpunim institucional dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për suksesin e tyre.
