Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj një infermiereje që shërben në një qendër të mjekësisë familjare në kryeqytet, duke theksuar se akte të tilla nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë.

Sulmi ndaj infermieres ndodhi gjatë orarit të punës, teksa ajo po ofronte shërbime shëndetësore në shtëpinë e një pacienti në lagjen Kalabria, siç thuhet në njoftimin e Komunës.

Në reagimin e saj, Drejtoria deklaroi: “E dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj punonjëses sonë shëndetësore. Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Siguria dhe dinjiteti i tyre janë të panegociueshme.”

Drejtoria e Shëndetësisë konfirmoi gjithashtu se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe po trajtohet nga organet kompetente.

Përmes njoftimit, Komuna qetësoi qytetarët, duke deklaruar: “Bëhet fjalë për një rast të izoluar, i cili nuk do të ndikojë në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Shërbimet në terren do të vazhdojnë normalisht, pa ndërprerje dhe me të njëjtin përkushtim ndaj çdo qytetari që ka nevojë për kujdes.”

Drejtoria theksoi se do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve, si dhe duke mbrojtur sigurinë, integritetin dhe dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë.