Rigjykimi për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend: Glauk Konjufca paraqitet në Gjykatë
Glauk Konjufca është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të nisë rigjykimi lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2024, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës. Ky vendim u mor me arsyetimin se nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ndërkaq, akuza për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” u refuzua për shkak të parashkrimit.
Megjithatë, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Themelores dhe e ktheu rastin për rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, duke e ngarkuar me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si deputet, në kundërshtim me ligjin, ka përdorur armë, duke hedhur gaz lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thekson se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve në sallë u bë i pamundur për shkak të tymit të shkaktuar nga gazi lotsjellës dhe ata u detyruan të braktisnin sallën.
