Kosova shënon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së me një sërë aktivitetesh
Në Kosovë do të organizohet një sërë aktivitetesh për të shënuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dëshmi të marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, pritet të jetë organizatore e një pritjeje solemne me rastin e këtij përvjetori madhor për shtetin amerikan.
Në prag të këtyre festimeve, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka vendosur një flamur të madh amerikan në ambientet e saj, si pjesë e aktiviteteve simbolike parapërgatitore për shënimin e përvjetorit.
Gjithashtu, aktivitete për këtë përvjetor janë parashikuar edhe në nivel lokal në Kryeqytet.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se më 2 korrik, nën patronatin e Kryeqytetit, do të organizohet ngjarja me titull “America and Kosova – A Freedom Story for the Next 250 Years”.
Sipas njoftimit, ky aktivitet do të nisë në orën 10:00 dhe do t’i kushtohet historisë së lirisë, partneritetit dhe miqësisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.
