Kosova rrezikon humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian nëse shtyn zbatimin e Agjendës së Reformave

Komisioni Evropian ka konfirmuar se ende nuk ka pranuar nga Kosova kërkesën për këstin e radhës nga fondet e Planit të Rritjes.

Afati për dorëzimin e kërkesës është caktuar për 15 korrik, ndërsa 30 qershori shënon datën përfundimtare për zbatimin e reformave të planifikuara për këtë periudhë.

Dorëzimi i kërkesës nga autoritetet vendore është një procedurë e parashikuar sipas rregullave të Planit të Rritjes. Miratimi i pagesës së kësteve bëhet pas një vlerësimi pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për zbatimin e reformave.

“Afati i ardhshëm i raportimit për Kosovën është më 30 qershor. Shpërndarja e fondeve nga BE-ja kushtëzohet nga përmbushja e hapave të Agjendës së Reformave, si dhe nga pajtueshmëria me kushtet dhe parakushtet e përgjithshme. Me skadimin e afatit për 13 reforma, më 30 qershor të këtij viti, Kosova rrezikon të humbasë fonde të konsiderueshme nëse nuk shfaq progres në zbatimin e tyre”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian, raporton RTK.

Vlera e 13 reformave që Kosova duhet të zbatojë deri më 30 qershor kap shifrën mbi 90 milionë euro. Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë shpjeguar gjithashtu se fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar edhe për 27 reforma të tjera, në vlerë prej afro 166 milionë eurosh.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se Kosova duhet të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Reformave për të shmangur humbjen e këtyre fondeve. Këto fonde nga Plani i Rritjes, në rast humbjeje, janë të pakthyeshme dhe ky rregull vlen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.