**Abdixhiku nderon Alush Gashin: Mbetet njeriu i cilësisë, arsyes dhe përmbajtjes**

Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po zhvillon një mbledhje komemorative në nderim të profesorit Alush Gashi, i cili u nda nga jeta më 15 maj në moshën 75-vjeçare.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se Gashi i përkiste brezit më të vështirë të historisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, Abdixhiku e përshkroi Gashin si një figurë të madhe. “Jemi mbledhur për të nderuar një njeri të madh. Alush Gashi mbetet njeriu i cilësisë, njeriu i arsyes, njeriu i përmbajtjes. Ai kishte një prani që nuk impononte, por qetësonte, dhe një autoritet që nuk kërkonte të dëgjohej me forcë, sepse urtësia e tij mjaftonte për t’u respektuar.”

“Pikërisht për këtë, dhimbja jonë sot është e heshtur, por është shumë e rëndë,” shtoi Abdixhiku.

Gjatë fjalës së tij, ai ndau edhe kujtime dhe përjetime personale me të ndjerin Gashi.