Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar nisjen e procesit të verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë. Ky proces do të zhvillohet në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN) pas përfundimit të votimit.

KQZ sqaron se fillimisht do të verifikohen rezultatet e subjekteve politike, bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime.

Procesi i verifikimit dhe numërimit pritet të nisë paraditen e së hënës në QKN-të e 15 komunave, duke përfshirë: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Ndërkaq, pasditen e së hënës, duke filluar nga ora 16:00, këto aktivitete do të shtrihen edhe në 23 komuna të tjera: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri dhe Malishevë.

Një konferencë për media do të mbahet në orën 16:30, në Qendrën Komunale të Numërimit “1 Tetori” në Prishtinë, për të njoftuar për fillimin e procesit të verifikimit dhe numërimit në të gjitha komunat, si dhe për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve.