Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë sqarime të detajuara lidhur me afatet e rëndësishme zgjedhore. Sipas njoftimit, procesi i certifikimit të subjekteve të reja politike duhet të përfundojë më 10 maj, ndërsa afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë është caktuar më 12 maj.
KQZ thekson se njoftimi nga partitë politike të regjistruara për pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, si dhe formimi i koalicioneve, përbën një proces të veçantë nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.
Afati për aplikimin dhe certifikimin e subjekteve të reja politike, ku përfshihen koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.
Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara. Prandaj, ky proces certifikimi vlen ekskluzivisht për entitetet e reja politike.
Ndërkaq, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë nga të gjitha subjektet politike – përfshirë partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – ka nisur gjithashtu më 2 maj dhe do të mbyllet më 12 maj.
