Kroacia rrit numrin e ushtarëve në KFOR
Kroacia do të rrisë numrin e trupave të saj pjesëmarrëse në Misionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë. Këtë e konfirmoi ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, gjatë një qëndrimi në Ankara.
Deklaratat e ministrit Anushiq u bënë gjatë Samitit të NATO-s në kryeqytetin turk, Ankara, siç raporton agjencia e lajmeve Anadolu.
“Planifikojmë ta rrisim numrin e ushtarëve kroatë në 200, aq sa lejon vendimi i Saborit (Kuvendit të Kroacisë),” theksoi Anushiq.
Aktualisht, Kroacia ka rreth 130 trupa në kuadër të KFOR-it.
Ky plan i Kroacisë, sipas mediave kroate, vjen në një kohë kur po shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të ushtarëve në KFOR.
Anushiq theksoi se ky shtim i trupave në Kosovë dëshmon se Kroacia e konsideron stabilitetin në Evropën Juglindore si një çështje kyçe për sigurinë.
“Unë gjithmonë nënvizoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të jetë fuqishëm e pranishme në atë hapësirë,” deklaroi Anushiq.
Disa javë më parë, NATO-ja kishte njoftuar se do të zvogëlonte praninë e saj ushtarake në Misionin e KFOR-it, si pasojë e përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë. Një rritje e pranisë së NATO-s kishte ndodhur pas incidenteve të dhunshme që shpërthyen në vitin 2023 në veri të Kosovës.
