Kryeministri sllovak Fico, në mbështetje të Vuçiqit në fushatë: S’do t’ju zhgënjejmë për Kosovën
Kryeministri sllovak, Robert Fico, ka shprehur hapur mbështetjen për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi parazgjedhor në Novi Sad. Në këtë rast, Fico riafirmoi qëndrimin e Sllovakisë kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Fico mori pjesë të premten në tubimin e listës “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, të organizuar në “Sheshin e Lirisë” në Novi Sad. Gjatë fjalimit të tij në gjuhën serbe, kryeministri sllovak theksoi mbështetjen për Vuçiqin, duke e justifikuar atë me mbrojtjen e “sovranitetit të Serbisë” dhe të drejtën e saj për vendimmarrje të pavarur.
Lidhur me çështjen e Kosovës, Fico ishte i qartë në deklaratën e tij: “Kur është fjala për Kosovën, nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë. Tek unë do të keni gjithmonë një mik të sinqertë”, deklaroi ai, duke ritheksuar qëndrimin e shtetit të tij për këtë çështje.
