Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar një raport me shkrim nga Prokuroria Themelore në Pejë, lidhur me menaxhimin e rastit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan. Ky veprim vjen pasi Gjykata Themelore në Pejë, më 24 gusht 2026, shpalli aktgjykim lirues për personat e akuzuar në këtë çështje.
Sipas njoftimit, Kryeprokurori i Shtetit, në bazë të kompetencave të tij ligjore, ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë një kronologji të saktë të veprimeve të ndërmarra nga kjo prokurori, lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan.
Gjykata Themelore në Pejë shpalli të hënën aktgjykim lirues për Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, babë e dy djem, sa i përket akuzës për vrasjen e trefishtë. Kjo ngjarje tragjike kishte ndodhur më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin humbur jetën dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i një autobusi.
Megjithatë, gjykata vendosi të dënojë Halil Mehmetaj me 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me 1 vit burgim për të njëjtën vepër.
Sipas aktakuzës, Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj akuzoheshin se, nën motivin e hakmarrjes, kishin shtënë me kallashnikov drejt autobusit më 26 nëntor 2021, duke shkaktuar vdekjen e dy nxënësve dhe shoferit.
Në detaje, Gjykata liroi Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për “Shtytje në vrasje të rëndë”. Gjithashtu, Kastriot Mehmetaj u lirua edhe nga akuza për armëmbajtje pa leje.
Aktgjykimi u shpall njëzëri nga trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Leon Përlaska dhe me anëtarët Shaqë Curri e Arben Mustafaj.
