Riatdhesohen 5 shtetas shqiptarë nga Siria, mes tyre gra dhe fëmijë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) bëri të ditur se më 26 gusht 2023 përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar të pesë shtetasve shqiptarë nga Siria, mes të cilëve gra dhe fëmijë.
“Operacioni është kurorëzimi i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike e konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira. Riatdhesimi i shtetasve tanë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira e komplekse. Kthimi i tyre në atdhe shënon fundin e një faze të rëndësishme të këtij procesi, por jo të përgjegjësisë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore e psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri,” citon Ministria në njoftimin e saj.
MEPJ-ja falënderoi institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, të cilat mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve. Ky operacion, thekson Ministria, dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Task-Forca ndërinstitucionale do të vazhdojë punën për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, si dhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt.
/Euronews
