Ngjarjet Kulturore të Javës: Arti, Muzika dhe Teatri mbushin agjendën në Kosovë dhe Rajon
Edhe pse sot është ditë pushimi, kjo javë premton një agjendë të pasur me ngjarje nga më të ndryshmet në të gjithë Kosovën. Ja edhe një edicion i “Monday Marks” me rekomandimet kryesore nga bota e artit, muzikës, teatrit dhe letërsisë. Zbuloni ku mund të shkoni!
Java që vjen sjell plot arsye për të dalë, për të kërcyer, reflektuar dhe krijuar. Edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar “Polip Festival” zgjeron programin nga poezia drejt teatrit dhe ekologjisë. Në Pejë, ekspozita personale e artistes Rina Krasniqi, titulluar “Aty ku ra drita”, hap dyert për publikun. Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, vepra “I Will Not Be Sitting in Silence” nga Zana Begolli e vendos artin në shërbim të dukshmërisë dhe rezistencës queer, pikërisht në prag të IDAHOBIT. Në Prishtinë, BB Poqi do të mbajë një koncert në “Klan Arena”.
Gjithashtu, “Java e Terapisë së Artit” përdor kreativitetin si mjet për të diskutuar rreth shëndetit mendor. Për ata që dëshirojnë të krijojnë me duart e tyre, Punëtoria e Qeramikës në Molos Studio ofron dy ditë modelimi me qeramikë. Ndërsa, “Aperitivo Afternoon” kombinon verën, ushqimin dhe punën me dyllë në një pasdite relaksuese dhe paksa hedoniste. “Padel Zone” feston ditëlindjen me muzikë dhe padel.
Edhe mbrëmjet janë të mbushura me aktivitete: Marcel Dettmann sjell atmosferën e “Berghain”-it në Prishtinë, ndërsa humori vjen me dy netë shfaqjesh: “Stand-up Prishtina” në AMC dhe mbrëmjen e Anton Bellos në “Lavjerr’s”. Vlen të theksohet gjithashtu se në Prizren, trupa amerikane “Ballet Magnificat” sjell baletin “Stratagem”, një performancë mbi përballjen mes së mirës dhe së keqes.
Jashtë Kosovës, Elina Duni rikthehet në Tiranë me koncertin “Reaching for the Moon”. Ndërsa në Shkodër, Eda Zari dhe “KULT 360 Collective” transformojnë stacionin e vjetër të trenit në një instalacion performativ me titullin “Terminal. Vini re, vini re!”.
Së fundi, arti hyn edhe në garderobë përmes bashkëpunimit mes “Galeria Qahili” dhe “Shigi Studio”, ku veprat e artistëve shndërrohen në shami që mund t’i vishni.
