Një ngjarje e pazakontë në Sidnei të Australisë ka treguar se ndonjëherë shpëtimi i një shfaqjeje mund të vijë nga vetë publiku.

Gjatë një projekcioni të filmit *La La Land* të shoqëruar nga orkestër live, pianistit të grupit iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe nuk mundi të vazhdonte performancën në pjesën e dytë të mbrëmjes.

Përballë mungesës së një zëvendësuesi, dirigjenti Justin Hurwitz, fitues i dy çmimeve Oscar për muzikën e filmit, iu drejtua sallës me një pyetje të thjeshtë: “A ka ndonjë pianist në publik?”. Përgjigjja erdhi nga Sterling Nasa, një student 21-vjeçar, i cili u ngjit në skenë dhe performoi me sukses pjesën e mbetur të koncertit, madje duke improvizuar edhe një solo.

Edhe bota e muzikës klasike ka histori të ngjashme. Një nga rastet më të famshme ndodhi në vitin 1974 gjatë festivalit “Proms” në Londër, kur baritoni Thomas Allen humbi ndjenjat në mes të performancës së veprës *Carmina Burana*.

Në publik ndodhej Patrick McCarthy, një i diplomuar rishtazi në muzikë, i cili e njihte rolin pasi e kishte interpretuar më parë si student. Ai ofroi ndihmën e tij dhe, pas një vendimi të shpejtë të organizatorëve, u ngjit në skenë për të përfunduar koncertin. Performanca e tij u bë lajm kombëtar dhe ndikoi që ai të ndiqte karrierën muzikore gjatë gjithë jetës së tij.

Këto histori kujtojnë se sa e brishtë mund të jetë një performancë live dhe sa përgatitje kërkohet për ta realizuar atë. Një tel violine që këputet, një instrument që pëson defekt apo edhe një gabim i papritur mund të rrezikojnë të gjithë koncertin.

Një nga episodet më të famshme ndodhi me pianisten portugeze Maria João Pires, e cila zbuloi pak para performancës se ishte përgatitur për koncertin e gabuar të Mozartit. Megjithatë, ajo arriti ta interpretojë veprën e duhur përmendësh dhe pa asnjë gabim, duke e kthyer një situatë të vështirë në një moment historik.

Sipas autorit të shkrimit, publiku shpesh nuk e kupton se pas qetësisë dhe elegancës së një koncerti fshihet një luftë e vazhdueshme me rreziqet dhe të papriturat. Pikërisht për këtë arsye, energjia dhe mbështetja e spektatorëve kanë një rol të rëndësishëm në suksesin e çdo shfaqjeje.

Ndërkohë, bota e muzikës klasike po pret edhe premierën botërore të veprës *Krishna* të kompozitorit britanik John Tavener. E përfunduar në vitin 2005, kjo vepër do të vihet për herë të parë në skenë pas më shumë se dy dekadash, duke i dhënë publikut mundësinë të dëgjojë atë që kompozitori e kishte cilësuar si “muzikën më ekstazike” që kishte shkruar ndonjëherë. /GazetaExpress/