Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendimin që të lejojë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës edhe me dokumente identifikimi të lëshuara nga Republika e Kosovës, të cilave u ka skaduar afati.

Ky vendim u mor gjatë mbledhjes elektronike të zhvilluar sot nga KQZ-ja dhe është njëri prej akteve të miratuara.

Në njoftimin e lëshuar nga KQZ-ja, theksohet se ky vendim vjen pas konstatimit të disa rasteve gjatë procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike. “Gjatë zgjedhjeve të kaluara për Kuvendin e Kosovës, janë evidentuar raste të votuesve që janë paraqitur me dokumente identifikimi të skaduara,” thuhet në njoftim.